114 nga lindja e Mitrush Kutelit, themeluesi i prozës moderne shqipe, por dhe truri i ekonomisë

17
Më 13 shtator 1907 lindi në Pogradec Dhimitër Pasko, i njohur në botën letrare si Mitrush Kuteli, një ndër prozatorët më të dashur e themeluesit e prozës moderne shqipe, ekspert ekonomie, përkthyes dhe kritik letrar i njohur.
Shkollën fillore e kreu në Pogradec më 1919 dhe më pas studimet i vijoi në Selanik. Organizoi shoqërinë e nxënësve shqiptarë të Selanikut të quajtur “Kostandin Kristoforidhi”. Më 1928 në Bukuresht vijoi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar edhe si llogaritar. Ndoqi kurse letërsie, kritike, folklori në fakultetet e tjera dhe dinte greqisht, latinisht, frëngjisht, rumanisht e italisht. Më 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” që botohej në Konstancë, ku çeli rubrikën “Shënime Letrare”. Më 1931 u diplomua dhe më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare e monetare me vlerësimin “Diplomam Magnam cum Laudæ”. Më 1931-1934 qe kryetar i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumanisë.
Në vitet 1934-1942 qe nëpunës i lartë në Ministrinë e Financave të Rumanisë, më tej u bë drejtor i Bankës Kombëtare të Bukureshtit dhe i Bankës së Çërnëucit.
Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan në janar të 1942, drejt Stalingradit. Ndërkohë mblodhi këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse.
Më 15 shkurt 1944, së bashku me Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen themeloi organin e përmuajshëm “Revista letrare”.
Qe ndër anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i këshillit të parë të saj dhe i komitetit drejtues të revistës “Bota e Re”. Njëherësh në ekonomi, pas themelimit të bankës, emërohet anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qendrore. Ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj.
Në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” punoi përkthyes deri më 1967, ku nga fundi i jetës, me shkëputje, iu rikthye për njëfarë kohe e drejta e botimit e iu ridha anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve me përkrahjen e Drago Siliqit.
Kuteli së bashku me Koliqin mbahen si bashkëthemeluesit e prozës moderne shqiptare dhe ndër nismëtarët e kritikës letrare me rubrikën sistematike “Shënime letrare”. Tekstet më themelore në prozë, poezi e kritikë i bëri para se të binte në burg më 1927-1947. Veprimtaria letrare e pasburgut përmblidhet në lëminë e përkthimit letrar.
Më 1919 botoi vjershat e para “Mëmës Shqipëri” e “Skënderbeu”, në kalendarin “Pogradeci”. Më 1924 botoni te “Shqipëria e Re” e “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Më 1938 botoi librin “Netë shqiptare”, cilësuar si tregime lirike nga Arshi Pipa.
La një vëllim me afro 200 këngë popullore moldavishte për botim në Bukuresht më 1942, me titullin “Cantece Din Moldova Mica”. Në Shqipëri, më 1943 botoi “Ago Jakupi e të tjera rrëfime” e librin me poema “Sulm e lotë”. Më 1944 botoi vëllimin me tregime “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, pamfletet satirike-politike “Havadan në havadan” dhe përmbledhjen me këngët e Pogradecit “Këngë e Brithma nga Qyteti i Djegur”.
Për t’iu kthyer e drejta e botimit iu përkushtua letërsisë për fëmijë me “Pylli i Gështenjave” (1958), “Xinxifillua” (1962) dhe “Tregime të moçme shqiptare” (1965) etj.
Ka lënë dy tekste autobiografike: “Kujtesa” dhe “Testamenti”.
Ndër kritikët më të rëndësishëm të viteve ’40, Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë letrare, përkatësisht “Lasgush Poradeci” (1937) e “Shënime letrare” (1944); ku radhit trajtat e ndryshme të lëvrimit të kritikës. Shkroi për Çajupin, Asdrenin, Shirokën, Asllanin e Migjenin. Kritika e tij për letërsinë e huaj nis me përkthimin e interpretimin e poetit të njohur rumun Mihai Eminescu. Risi në vëllimin “Shënime letrare” përbën kronika analitike “Viti letrar 1943”, ku analizohen të gjitha shfaqjet letrare në Shqipëri brenda një viti. Është i pari që u prezantoi shqiptarëve poetin ukrainas Taras Shevchenko.
La një sërë shkrimesh kushtuar ekonomisë, monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike shqiptare. Disa leksione të tij mbi ekonominë u botuan në vëllimin “Ditari i ekonomistit”.
Përkthimin e nisi me Emineskun që në Rumani. Ka përkthyer nga rumanishtja, nga rusishtja (Turgenjev, Gogol, Shçedrin etj.), vëllime të përrallave turke, kineze, persiane, mongole, arabe e polake. Mblodhi e përktheu këngët popullore të popujve të ndryshëm, poetët Elyar dhe Neruda.