2017, pritet rritje e pagës minimale

549

grafik-paga-minimale

Paga minimale për efekt të kontributeve shoqërore pritet të rritet me 13.7%, pra nga 22,000 lekë që është sot, në 25,000 lekë.

Ndryshe nga sa ka deklaruar deri më sot ministri i Financave, Arben Ahmetaj, për mosndryshimin e saj për bizneset private, burime pranë Këshillit Kombëtar të Punës, thanë për “Monitor” se në mbledhjen e radhës, e cila pritet të zhvillohet së shpejti, do të diskutohet dhe miratohet edhe kjo rritje.

Në janar të vitit 2015, paga minimale u rrit nga rreth 19,000 lekë në 22,000 lekë sikundër është në fuqi edhe sot. (Reforma e re e pensioneve solli nevojën për të pasur vetëm një pagë minimale për efekt llogaritjeje. Është përcaktuar që paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore, është e barabartë me pagën minimale për efekt punësimi të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Pra, nisur nga ky përcaktim në Shqipëri, ekziston vetëm një pagë minimale).

Natyrisht automatikisht ndryshimi do të reflektohet edhe ndaj pagës maksimale për efekt të kontributeve shoqërore që aktualisht është në rreth 97,000 lekë.

Nga ky vendim pritet të preken më shumë sektori eksportues dhe i prodhimit, të cilën pagat e ulëta i kanë si avantazh konkurrues.

Burimi: Revista Monitor