22 minuta udhëtimi Tiranë-Durrës, kur pritet të përfundojë ndërtimi i hekurudhës

194

Vazhdon puna për rindërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës me degëzim në aeroportin e Rinasit.

Në këtë kantier po vijon puna për të rijetësuar e zhvilluar një sektor të rëndësishëm të transportit, i cili lidh dy prej zonave me fluksin më të lartë të lëvizjes.

Një projekt madhor, pjesë e rrjetit hekurudhor europian, pritet të përfundojë brenda vitit 2024 dhe do të shkurtojë në 12 minuta distancën Tiranë-Rinas dhe në afro 22 minuta kohën e udhëtimit Tiranë-Durrës.

Vlera e investimit llogaritet 70 milionë euro i ndarë në dy pjesë. 50% janë grante, kurse 50% është kredi me terma të butë e akorduar nga BERZH-i. Ky projekt ka qenë një ndër projektet fitues në kuadër të Samitit të Parisit në vitin 2016. Shpejtësia maksimale e udhëtimit do të jetë rreth 120 km në orë.

Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore.