3 çartera me 600 polakë drejt Shqipërisë, zgjedhin bregdetin e Adriatikut për pushime

15

Me plazhe fantastike përgjatë vijës bregdetare, Shqipëria u jep shansin vizitorëve të shijojnë ujërat e Mesdheut me çmime tejet të arsyeshme.

Bregdeti, peizazhet e larmishme natyrore, vendet historike mjaft interesante në të gjithë Shqipërinë, në të cilat hyrja kushton vetëm 2-5 dollarë, qyteti i gurtë mesjetar i Gjirokastrës, rrënojat romake në Butrint, Berati qyteti i “një mbi një dritareve”, Korça e serenatave, apo Kruja, Shkodra e Lezha ofrojnë një anë krejt të ndryshme të Europës, që duhen vizituar.

Për më tepër kuzhina shqiptare është një përzierje e influencave të kuzhinës turke, asaj ballkanike dhe evropiane. Ajo është e njohur për vlerat e larta ushqimore dhe shijen e saj mjaft të mirë. Pothuajse çdo krahinë ofron specialitetet e saj të veçanta.

Pas turistëve të parë nga Bjellorusia e Ukraina këtë javë e kanë radhën turistët polakë për të zbritur në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa bëri të ditur se nesër mbërrijnë 3 çarterët e parë me rreth 600 turistë, të cilët do të pushojnë në Golem, në brigjet e Adriatikut.

Hapja e kufijve më 1 qershor ka sjellë 185 mijë turistë në vendin tonë. Por kjo shifër është rreh 30% më e ulët se shifra e shënuar në qershorin e 2019 për shkak të COVID-19.

Situata është përmirësuar dukshëm javën e parë të muajit korrik. Në javën e parë të korrikut, ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka bërë të ditur se ka hyrë në territorin shqiptar pothuajse i njëjti numër turistësh, sa në javën e parë të 2019.

Nga më pak se 3 milionë turistë në vitin 2013 kemi vajtur në 6.4 milionë turistë e kjo dëshmon që ka një investim të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e zhvillimit të infrastrukturës turistike.