3 hapa për të përballuar krizën në kompani

64

Të drejtosh një kompani mund të jetë shpeshherë thuajse e njëjta gjë me drejtimin e një anije në një det jo të qetë. Krizat janë një prej gjërave me të cilat çdo kompani duhet të jetë e përgatitur që të përballet.

Në pjesën më të madhe të rasteve nuk është kriza në vetvete problemi kryesor por mënyra me të cilën liderët e kompanisë e përballojnë atë. Situatat problematike me të cilat mund të hasë kompania juaj janë edhe momenti në të cilin liderët e suksesshëm e tregojnë më së miri veten dhe aftësitë për ta kaluar atë sa më lehtë.

Ja se cilët janë tre hapat që liderët duhet të ndërmarrin për të përballuar më së miri një krizë në kompaninë e tyre:

Hapi 1: Tregohuni të ndershëm me veten

Në mënyrë që një lider të jetë i aftë për të drejtuar kompaninë e tij edhe në ditë të vështira, ai duhet që të tregohet sa më i ndershëm me veten dhe të përballet me situata që janë të vështira për t’u pranuar por ama, mospërballja me to do të ishte edhe më e rëndë. Një lider i aftë është ai që në një situatë krize nuk merret me atë që ka gabuar por me shkaqet që çuan në gabim.

Hapi 2: Veproni sa më shpejt, por mbi të gjitha tregohuni të kujdesshëm

Në analizimin e një situate problematike një lider i suksesshëm bashkëpunon me të gjithë stafin e tij për të gjetur të gjitha gabimet. Të gjitha opsionet që mund të kenë çuar në një situatë të tillë duhet të thuhen në mënyrë që të krijohet mundësia për të vepruar sa më parë, por mbi të gjitha në mënyrë sa të kujdesshme, për të shmangur rënien sërish në të njëjtin gabim.

Hapi 3: Përqendrimi

Ky është një prej hapave më të rëndësishëm dhe të cilit duhet t’i kushtoni vëmendjen më të madhe. Sitautat probelematike apo ato kur një krizë e mundshme mund të ketë përfshirë edhe kompaninë tuaj, janë ato në të cilat ju duhet të ruani në maksimum përqendrimin tuaj dhe të mos e humbni qetësinë. E rëndësishme është që të mos bini në dëshpërim dhe të humbisni përqendrimin dhe si pasojë të mos reagoni për ta çuar sërish gjendjen aty ku ishte më parë.

Burimi: Revista Monitor