3 mënyra si të bëni përshtypje të mirë në punën tuaj të re

261

Dita juaj e parë në një punë të re dhe javët e para mund të duken vërtet të vështira, ndërsa ju përshtateni me një kulturë të re në kompaninë e re, me njerëzit, përgjegjësitë dhe rrjedhën e punës. Natyrisht ju doni të bëni përshtypje të mirë që në fillim, por shumë njerëz, në përpjekje për të lënë një përshtypje të mirë, e nisin me këmbën e gabuar.

Por ekzistojnë disa mënyra për të treguar aftësitë tuaja dhe për të dhënë një kontribut të shpejtë.

Më poshtë janë tre mënyra se si t’ia dilni mbanë…

1- Dëgjoni së pari

Është stresuese kur një koleg i ri bashkohet në kompani dhe që në ditët e para nis të theksojë gjithçka duhet ndryshuar. Punonjësit e rinj janë të etur që të mund të tregojnë gjithë përvojën dhe perspektivën e tyre dhe kompania është e paduruar për t’i sprovuar ata – në fund të fundit kjo është arsyeja pse i kanë përzgjedhur. Megjithatë, është e rëndësishme të kaloni pak kohë duke dëgjuar së pari dhe të kuptoni se si zhvillohet puna para se të jepni këshilla.

Fakti se kompania ku punonit më parë kishte një mënyrë ndryshe të të punuarit, kjo nuk do të thotë që gjërat do të funksionojnë në të njëjtën mënyrë edhe në kompaninë tuaj të re. Punonjësit me performancë më të mirë, marrin kohë para se të bëjnë shumë pyetje. Më pas, kur ndajnë mendimet e tyre dhe formulojnë rekomandimet, kolegët e tyre janë të interesuar në atë që do të thonë (pasi ata kanë dëgjuar më parë dhe kanë të drejtën që të dëgjohen).

2- Mos e vini menjëherë në zbatim axhendën tuaj

Në vend që të hyni me një plan specifik sulmi në punën tuaj të re, mendoni së pari të krijoni një lidhje midis axhendës suaj dhe bashkëpunëtorëve të cilët punojnë prej një kohe të gjatë në këtë kompani. Në vend që të kërkoni të ndryshoni gjithçka – edhe pse kompania ka nevojë për këtë gjë – frenoni dëshirën për të bërë këtë gjë dhe krijoni një vizion të përbashkët ku kompania duhet të synojë të arrijë. Më pas prezantoni mënyra të cilat do ta bënin kompaninë të ndryshojë për mirë. Vetëm pasi të keni fituar besimin ju mund të nisni të ndryshoni mënyrën e të punuarit në ekipin apo kompaninë tuaj.

3- Përshtatuni kulturës

Kultura e kompanisë së re me shumë mundësi ndryshon nga ajo që keni punuar më parë. Në javët e para merrni kohë për të parë klimën e mjedisit në punë. Për shembull, në kompani në të cilat njerëzit kanë punuar bashkë prej shumë kohësh, e njohin njëri-tjetrin mirë, mund të ketë më shumë diskutime dhe nivele më të larta bashkëpunimi për të përfunduar gjërat. Në të tjera organizata, ku veprimi dhe ekzekutimi çmohen së tepërmi, diskutimet mund të konsiderohen një humbje kohe.

Ju nuk do të hynit kurrë në një shtëpi në Japoni pa hequr më parë këpucët. Kur ju nisni të punoni në një kompani të re, mendojeni si një vend të ri: ka traditat e veta kulturore dhe duke u kushtuar vëmendje, kjo do të ndikojë në suksesin tuaj.
Kur ju silleni me përulësi profesionale, jo vetëm që do të bëni një përshtypje të mirë në fillim, por kjo do t’ju japë në mënyrë të shpejtë rezultatet e shpresuara kur ju fituat atë vend pune.

Burimi: Revista Monitor