Në një njoftim për mediat, numri dy i qeverisë shqiptare zoti Niko Peleshi, bëri të ditur se me një vendim Qeverie të miratuar në mbledhjen e datës 25 Maj të Qeverisë, është vendosur të shtohen 300 punonjës me kontratë tek ALUIZNI.
Më poshtë mund të gjeni deklaratën e plotë të zv/Kryeministrit:
Përshëndetje!
Sot dëshiroj t’i komunikoj publikut, një vendim të mbledhjes së sotme të qeverisë, sipas të cilit vendosim të shtojmë me 300 punonjës me kontratë, numrin e punonjësve të Agjencisë së Legalizimeve dhe Urbanizimit të Zonave Informale, ALUIZNI.
Kjo është pjesë e strategjisë sonë, për t’i dhënë një ritëm edhe më të lartë legalizimeve në vendin tonë.
Legalizimet mbeten një prej reformave të para, me qëllim formalizimin e ekonomisë shqiptare, e premtuar dhe e ndërmarrë nga kjo qeveri.
Reforma, shumë e zvarritur në vite, tani ka marrë një shpejtësi tjetër. Kujtoj 45 mijë legalizime të realizuara deri më tani, krahasuar me 21 mijë të kryera nga qeveria e kaluar.
Kujtoj edhe 400 vende të reja pune, të hapura pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Patundshme. Ftoj të gjithë profesionistët të bëhen pjesë e garës për këto vende pune.