31 mësues të Edukimit Fizik certifikohen për të punuar me fëmijët me aftësi të kufizuara

20

31 mësues të Edukimit Fizik dhe punonjës psiko-social nga shkolla të Kamzës, Tiranës dhe Durrësit morën sot pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për përfundimin me sukses të trajnimit «Edukimi fizik i adaptuar për nxënësit me aftësi të kufizuara».

Duke parë përfitimet që sjell sporti në zhvillimin fizik e mendor të fëmijëve, por edhe në nxitjen e gjithëpërfshirjes dhe bashkëveprimit në shkollë, World VisionAlbania bashkëpunoi me Universitetin e Sporteve për të ofruar një trajnim të dedikuar kryesisht për mësuesit e Edukimit fizik, por edhe për stafet psiko-sociale të shkollave. Trajnimi iu vjen në ndihmë profesionistëve, që përmes përdorimit të sportit, të mund të ndihmojnë në zbatimin e Planeve Edukative Individuale për fëmijët me aftësi të kufizuar.

“Përgjatë vitit 2022, World Vision ka patur një vëmendje të shtuar në mbështetjen e shkollave për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive. Në kuadër të punës sonë me të rinjtë, mbi 1140 adoleshentë janë përfshirë në mënyrë direkte në aktivitete të tilla. Ne angazhohemi që të vijojmë mbështetjen e përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve në aktivitete sportive, si një mënyrë që i nxit ata për të përqafuar jetesën e shëndetshme dhe aktive. Sporti i ndihmon ata të kalojnë kohë cilësore, por njëkohësisht edhe i bashkon të rinjtë”, u shpreh Gerta Hagen, Drejtore e Programit dhe Ndërtimit të Partneriteteve, World Vision Albania.

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për mësuesit e trajnuar, ishin të pranishëm edhe Zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit dhe Rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës, të cilët nënvizuan gjithashtu se sporti është një mjet i domosdoshëm për zhvillimin e fëmijëve.