Studimi/ Pse duhet të kesh të paktën 2 karriera profesionale?

20

Nuk është e pazakontë të takoni një avokat që do të donte të punonte në energji të rinovueshme, ose një zhvillues aplikacionesh që do të donte të shkruante një roman, apo një redaktor që fantazon të bëhet një stilist peizazhi. Ndoshta, gjithashtu ëndërroni të kaloni në një karrierë që ndryshon në mënyrë drastike nga puna juaj aktuale. Mirëpo, shpesh kjo mbetet vetëm në nivelin e ëndrrave apo dëshirave, pasi kostot e ndërrimit duken shumë të larta dhe mundësia e suksesit duket shumë e  parealizueshme.

Por, studimet tregojnë se dy karriera janë më të mira se një. Dhe, duke u angazhuar në dy karriera, ju do të prodhoni përfitime për të dyja. Ja disa arsye:

  1. Zhvilloni aftësitë tuaja

Nëse ndiqni vetëm një karrierë, gjasat janë që të aftësoni shumë me kalimin e viteve dhe përftimin e eksperiencës, por të gjitha ato që quhen “skills”, do të vërtiten rreth së njëjtës fushë. Ndërkaq, duke nisur një karrierë të dytë, ju do të dilni nga zona juaj e komfortit dhe do të viheni në sfida të reja, duke zhvilluar kështu aftësi të reja të vetes. Në një të ardhme, aftësitë e të dy karrierave profesionale, mund t’i ndërthurni apo shkrini sëbashku.

  1. Zhvilloni rrjetin tuaj të kontakteve

Në epokën në të cilën jetojmë, flitet çdo ditë se sa i rëndësishëm është rrjeti i njerëzve që njeh, për të ecur përpara, apo për mundësi të reja. Jo vetëm që këta njerëz do të jenë pjesë e kontakteve tuaja profesionale, por gjithashtu mund të shndërrohen në miq të mirë, apo të sjellin energji të re në jetën tuaj.

  1. Zbuloni ide inovative

Duke punuar në projekte të ndryshme, ju mund ta gjeni veten tuaj të stimuluar nga projekte në kahe tërësisht të ndryshme, çka mund të nxisë dhe prodhojë ide të reja inovative te ju, që me pak mund dhe dëshirë, mund të jenë projekte suksesi.