4.500 vizitorët patën mundësi të shijonin ushqimin dhe pijet tradicionale shqiptare

60

Ambasada e Shqipërisë në SHBA  të shtunënën (4 maj), u bë atraksioni i rreth 4.500 qytetarëve të Uashington DC, pasi për të katërtin vit radhazi hapi dyert për vizitorët dhe qytetarët e Uashingtonit, por dhe më gjerë.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të programit Passport DC, Xhiroja e Botës përmes Ambasadave, program një mujor që prezanton bashkësinë diplomatike në Uashington së bashku me kulturën e traditat e larmishme të secilit vend.

Vizitorët zgjodhën Ambasadën tonë për një udhëtim të shkurtër imagjinar në historinë e lashtë dhe në atë që ofron Shqipëria sot. Ata u njohën me turizmin kulturor ku interes të veçantë zunë vlerat e trashëgimisë tonë kulturore të cilat janë tashmë pjesë e trashëgimisë Botërore të Unesco-s, si qyteti Antik i Butrintit, qyteti i gurtë i Gjirokastrës dhe Berati, si edhe turizmi natyror nëpërmjet ekspozitës fotografike me pamje nga zonat malore dhe ato bregdetare, të cilat magjepsën vizitorët e këtij viti.

Aktiviteti ngjalli një interes të veçantë, dhe rreth 4.500 vizitorët patën mundësi të shijonin ushqimin dhe pijet tradicionale shqiptare, dhe mbi të gjitha vallet dhe muzikën e trojeve tona, që shoqëroi pa ndërprerje veprimtarinë, duke i dhënë aktivitetit një aromë dhe shije tërësisht shqiptare.

Gjithashtu, kostumet kombëtare dhe mësimi i “fjalëve magjike” në gjuhën shqipe, fotot e panumërta me elementët tona kombëtare dhe interesi mbi traditat tona të veçanta shoqëruan në vazhdimësi aktivitetin.

Edhe këtë vit, aktiviteti ynë kulmoi me organizimin e një shorteu, i cili ofroi një paketë turistike 10-ditore për të vizituar Shqipërinë.

Fituesja e vitit të kaluar #Yvonna, njohu pjesëmarrësit me eksperiencën e saj të jashtëzakonshme në Shqipëri, duke nxitur maksimalisht interesin për pjesëmarrje në llotarinë e këtij viti. Megjithëse vizitorët duhet të riktheheshin për ceremoninë e tërheqjes së çmimit, lotaria e këtij viti ngjalli interesin dhe u prit me emocione nga qindra e qindra pjesëmarrës duke konkluduar me fituesen e këtij viti, #Catherine, e cila do të shijojë një udhëtim 10 ditor në Shqipëri të ofruar nga sponsorat që mbështetën këtë event.

Albania, go your own way!

Albanian Embassy to the US