4 verëra shqiptare mes më të mirave në botë

34

Decanter World Wine Awards 2023, një nga konkurset më të mëdha dhe me ndikim në botë i verërave, ka publikuar rezultatet për verërat më të mira për vitin 2022, ku mes fituesve është edhe Shqipëria me 4 marka vere.

Vlerësimi me medalje i verës shqiptare nga “Decanter World Wine Awards 2023″ është një tjetër sukses ndërkombëtar për këtë industri me potencial të jashtëzakonshëm për ekonominë rurale në vendin tonë, duke konfirmuar një sukses të politikës sonë mbështetëse për këtë prodhim identitar të kulturës bujqësore të një vendi.

Pas miratimit të ligjit të ri të vreshtarisë dhe verës, po punohet për përfundimin e kadastrës së vreshtave, ndërkohë që fuqizojmë përditë e më shumë bashkëpunimin dhe mbështetjen me vreshtarët dhe prodhuesit e verës.

Rreth 74.000 shishe verë u dërguan nga 57 vende në Londër për gjykimin e këtij viti. Gati 240 ekspertë nga e gjithë bota u mblodhën në prill për të testuar 80 deri në 90 verëra në ditë, duke renditur verërat më të mira, me anë të medaljeve.

Vera shqiptare ka marrë 4 medalje: 3 bronzi dhe 1 argjendi.

Renditja e verërave shqiptare në konkursin ndërkombëtar të verës janë: “Ara e dardhës”, “Prestigj Kallmet” dhe “Geg Kallmet superior” janë verërat që kanë arritur të marrin 3 medalje bronzi, ndërkohë që vera “Kuven” ka marrë medaljen e argjendtë.

Pak kohë më parë ishte revista prestigjioze botërore “Decanter” që i kushtoi një artikull verërave shqiptare. Gazetari i mirënjohur Darrel Joseph dha një pasqyrë kuptimplotë të zhvillimit të vreshtarisë dhe verëtarisë në vend, çka ai konstatoi vetë gjatë vizitës në Shqipëri, e të cilën e pasqyroi në faqet e prestigjiozes botërore “Decanter”.

/ata.gov.al