Shpërqendrimi në ambjentet e punës, është një fenomen që ndodh rëndom e sidomos kur duhet të punojmë në zyra të vogla. Një punonjës mesatar ndërpritet 50 deri në 60 herë në ditë, dhe rreth 80% e këtyre ndërprerjeve janë të parëndësishme. Ndërprerjet e vazhdueshme, bëjnë që njerëzit të jenë më pak produktivë por njëkohësisht dhe më të stresuar së kurrë për shkak të mungesës së kontrollit në punën e tyre.
Por, si mund t’i shmangim shpërqendrimet në zyrë për të marrë nën kontroll ditën dhe punën tonë dhe për të përmirësuar mirëqenien emocionale?
- Kontrolloni çdo gjë
Çdo gjë e kontrolluar shpejt dhe jo duke marrë kohën që ju nevojitet, mund të shtojë deri në 40% humbje të produktivitetit gjatë një dite. Në vend që të kontrollojmë në mënyrë sporadike gjëra gjatë ditës, ne duhet të kontrollojmë serinë e postës elektronike, mesazhet në momentin që vijnë, si dhe mediat sociale, në momentin e duhur.
- Mos u shqetësoni
Nëse po e lexoni këtë artikull dhe po mendoni: “Por unë punoj në një zyrë mjaft të madhe dhe është e pamundur të shmang shpërqendrimet”, provoni të përdorni një mekanizëm sinjalizimi për ta njoftuar ekipin tuaj se nuk duhet t’ju shqetësojnë nëse nuk është diçka urgjente. Një nga mënyrat më të thjeshta, për ti dhënë një sinjal të tillë kolegëve është të vendosni kufje gjatë kohës që jeni duke punuar.
- Ndaloni duke ju përgjigjur të gjithëve
Duke ju përgjigjur të gjithëve kudo dhe kurdo, nuk tregon përgjegjshmëri, përkundrazi vetëm sa ju dëmton ju dhe produktivitetin tuaj në punë. Merrni më shumë kohë për të menduar për punën tuaj dhe komunikoni me email me kolegët për gjithçka duhet. Kështu do të shmangni takimet e gjata dhe do kurseni më shumë kohë.
- Përdorni hapësirat e treta
Hapësirat e treta, konsistojnë në ato pjesë të zyrës të cilat kanë më shumë hapësirë dhe rrjedhimisht më shumë qetësi. Padiskutim, zyrat e mëdha ku të gjithë punonjësit mund të jenë bashkë dhe të rrisin bashkëpunimin mes tyre janë tërheqëse, por gjithashtu janë ambjentet që sjellin më shumë shpërqendrim. Ndaj në këtë rast, ose do të duhet të shfrytëzoni hapësirat e treta ose mund të negocioni me eprorin tuaj për të punuar një pjesë të ditës nga shtëpia.
- Izolohuni nga telefoni juaj
Për të arritur një përqendrim maksimal në punë, sigurisht që duhet të izolohemi dhe nga telefoni. Për të arritur këtë ju mund të përdorni ‘airplane mode on’’ për të kufizuar mesazhet dhe telefonatat e shpeshta gjatë ditës. Nëse kjo ju duket një ide jo shumë e mirë, pasi telefoni është një pjesë thelbësore e punës tuaj, atëherë mund të përjashtoni numra specifikë si familjarët, eprorët apo bashkëpunëtorë të tjerë me të cilët ju duhet të keni patjetër komunikim gjatë ditës.
Organizatat që ndërtojnë një kulturë rreth minimizimit të shpërqendrimeve do të përfitojnë nga një fuqi punëtore e përqendruar, pasi punonjësit e tyre do të ndjehen më pak të stresuar dhe të kënaqur me produktivitetin e tyre në punë