5 orë operacion/ Ndërhyrja e rrallë në zemër në QSUT, mjekët i shpëtojnë jetën 27 vjeçarit

17

Mjekët e shërbimit të Hemodinamikës në QSUT bëjnë mrekulli me një 27-vjeçar të cilit i shpëtojnë jetën, me një ndërhyrje të rrallë në zemër që zgjati 5 orë.

Për herë të parë në Shqipëri u bë vendosja e aparatit CRT-D (terapi resinkronizimi dhe defibrilator i implantueshëm kardiak) si dhe vendosja e nje sonde subkutane për defibrilim kardiak.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, pajisjet CRT-D, janë pajisje shumë të kushtueshme dhe bartin një shkallë të lartë vështirësie për t’u vendosur, por falë investimeve të kryera në QSUT dhe kualifikimit të stafit mjekësor, u bë e mundur ndërhyrja delikate që rezultoi e suksesshme për të riun 27-vjeçar.

Kardiologu intervencionist aritmolog pranë Shërbimit të Hemodinamikës, Dr. Ormir Shurdha tha se, para 2 vitesh i riu erdhi me një artmi jetëkërcënuese.

Dr. Shurdha tregon se, para një viti pacienti bëri një arrest kardiak. Sipas tij, gjendja u përkeqësua dhe në këtë rast iu propozua vendosja e një aparati që quhet terapi resinkronizuese, një aparat që kryen dy funksione, shpëton nga vdekja e papritur dhe rregullon zemrën, duke kryer sirinkronizimin e zemrës. Po ashtu, shprehet Dr Shurdha, u vendos sonda subkutane për defibrilim kardiak.

“Kjo është një procedurë që kryhet për herë të parë. Është një procedurë e vështirë që zgjati 5 orë“, tha Dr. Shurdha.

Mirënjohje ekipit me Dr.Ormir Shurdha, Dr. Mirald Gina, stafi i Hemodinamikës me kryeinfermiere Ledja Grrica, me një ndihmesë të veçantë për anestezinë nga Dr. Saimir Kuçi.