6.4 milionë turistë të huaj për 2019/ Ja sa miliard euro shpenzuan në Shqipëri

73

Vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan 6.4 milionë shtetas të huaj. Ky është numri më i lartë vjetor i vizitorëve të huaj i regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i vizitorëve të huaj u rrit me 8% gjatë vitit të kaluar.

Mbështetur në të dhënat e një viti më parë, një shtetas i huaj shpenzonte mesatarisht 52 euro në ditë gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri.

Po të kemi parasysh se kohëzgjatja mesatare e qëndrimit është 4.3 netë, mund të themi se një turist i huaj shpenzon rreth 220 euro në Shqipëri. Për një numër të përgjithshëm prej 6.4 milionë turistësh, mund të përllogaritet se ata kanë shpenzuar rreth 1.4 miliardë euro gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, të ardhurat në bilancin e pagesave në zërin udhëtime janë edhe më të larta se kaq.

Për vitin 2018, ato arritën në 1.86 miliardë euro, ndërsa vetëm për 9-mujorin e vitit 2019 kishin vlerën e 1.64 miliardë eurove. Megjithatë, kjo shifër përfshin shpenzimet e kryera gjatë udhëtimeve në Shqipëri nga të gjithë vizitorët, duke përfshirë këtu edhe emigrantët shqiptarë.

Shifrat e turizmit për vitin e kaluar dëshmuan edhe njëherë se ai vazhdon të mbështetet në masën dërrmuese tek shqiptarët e shteteve fqinje. Numri i vizitorëve nga Kosova u rrit me afro 8%, ndërsa ai nga Maqedonia e Veriut me rreth 11%.

Vizitorët nga këto dy vende sjellin pothuajse gjysmën e turizmit hyrës në Shqipëri. Megjithatë, vitin e kaluar vijoi rritja e numrit të turistëve nga vendet e Europës Perëndimore, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Spanja.