65 mjekë të rinj, kontratë trevjeçare pune

8

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha sot se 65 mjekë të rinj kanë nisur kontratën 3-vjeçare të punës me MSHMS për të dhënë kontributin e tyre profesional, ndërsa kjo ministri vazhdon mbështetjen për të fuqizuar sistemin shëndetësor publik me profesionistë të rinj.

Ministrja solli rastin e Elonës dhe Marselës, dy mjeke të reja, që pasi përfunduan specializimin si kuotë e mbuluar, janë punësuar dhe shërbejnë në Spitalin Rajonal të Elbasanit.

“Këtë vit, 65 mjekë të rinj kanë nisur kontratën 3-vjeçare të punës me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa 229 mjekë specialistë janë duke e vijuar këtë kontratë. Këto janë shembuj konkretë të angazhimit tonë për të mbështetur dhe fuqizuar sistemin shëndetësor publik me profesionistë te rinj”, u shpreh ministrja.

“Unë jam Elona Shkrebi, kam mbaruar specializimin për pediatri në vitin 2024. Kam qenë kuotë e mbuluar dhe jam emëruar në Spitalin Rajonal të Elbasanit ku jam pritur shumë mirë nga drejtoria dhe nga stafi i pediatrisë”, thotë mjekja.

Një tjetër mjeke i është bashkuar stafit të këtij spitali rajonal, pas përfundimit të studimeve dhe specializimit.

“Unë jam Marsela Liqeni nga Shkodra, kam mbaruar specializimin për pediatri. Zgjodha të punoj në Spitalin Rajonal të Elbasanit ku jam pritur shumë mirë nga drejtoria dhe stafi”, shton ajo.

Punësimi i mjekëve specialistë ka rikthyer e forcuar shërbimin për shumë specialitete, duke garantuar kujdes shëndetësor cilësor për çdo qytetar dhe pacient, afër vendbanimit të tyre.

Referenca: ata.gov.al