76 vjet nga themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë

20

Më 7 tetor të vitit 1945 do të formohej Lidhja e Shkrimtarëve dhe katër vite më pas, në 1949 u krijua edhe Lidhja e Artistëve.

Viti 1957 solli bashkimin e tyre në një lidhje të vetme, duke e emëruar këtë trup si “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” dhe duke qenë bashkim i shkrimtarëve dhe artistëve të vendit.

Në fillim kishte 70 anëtarë, duke përfshirë edhe gazetarë e gjuhëtarë dhe një seksion të letrarëve të rinj. Që në hapat e saj të parë zhvilloi një luftë të ashpër kundër koncepteve reaksionare dhe idealiste të letrarëve antipopullorë. Madje, kjo përcaktohej edhe me statusin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ku qëllimi i saj mbetet bashkimi i forcave krijuese për shërbim ndaj socializmit.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organet e saj letrare dhe artistike: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare” dhe “Revista letrare” si botime alternative pas viteve 1990. Ndërkaq si organ promovues i artit dhe të kulturës, në të kalonin emra të mëdhenj të kësaj fushe. Disa nga kryetarët të cilët drejtonin LSHAK janë: Sejfulla Maleshova, Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari, etj.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë numëron më shumë se 1300 anëtarë. Organet e saj drejtuese janë: Kongresi Kombëtar, Kryesia, Kryetari dhe Këshilli Administrativ. Në strukturën organizative funksionojnë: seksioni i letërsisë, i muzikës, i pikturës e skulpturës dhe ai i talenteve të reja.