82-vjeçari nga Tirana që punon këpucar edhe pse ka 22 vite që ka dalë në pension: E dua punën

7

Është 82 vjeç. Sefer Fusha mund të jetë një nga personazhet që e dashuron më së shumti punën e tij.

“Këtu unë ndiej kënaqësi se unë jam marr të gjithë jetën me punë”, tregon ai.

Sot ai bën riparime këpucësh, ka hapur këpucarinë e tij, por në rini ka qenë marangoz tekstil në Kombinat.

“Unë merresha me punë private në kohën e partisë së punës, me rafte , dhoma gjumi. Kam pas qenë njësh. Qen i lekut. Kur dola në pension thashë po marr zanatin e babës. Kam 22 vjet që e ushtroj këtë profesion”, shprehet Fusha.

Nuk e detyron askush që të vijë në punë, por e bën nga kënaqësia. Që prej vitit 2000 ai merr pension. 2 fëmijët e tij nuk donin që ai të punonte sërish dhe të stërmundonte veten, por kurrë nuk e la pas zanatin.

“Më vjen djali e më thotë: Çfarë po bën këtu? Unë i them duke punuar. Më pas shkon i thotë nënës së vetë: Çfarë e do punën ai , ai ka dalë në pension etj etj.

E  unë i them: Ore bab’ unë nuk mund të rri , jam marr të gjithë jetën me punë.”

Punon nga ora 9- 12 të mesditës, kafenetë i urren dhe nuk i frekuenton. Atë ç’ka mund të konsumojë diku tjetër e ka gjithmonë në krah të tavolinës së punës. Me dashamirësi Seferi e ndan dhe me ne.