84 bursa studimi për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer” në Shkodër

113

Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e 84 bursave studentore për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, në Shkodër.

Në vendim thuhet se nga këto 84 bursa studimi, 24 janë bursa për nxënësit e viteve përgatitore dhe 60 për nxënësit nga viti i parë, deri në vitin e katërt të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, për vitin shkollor 2020-2021.

Vlera vjetore e bursës do të jetë 95 600 lekë, me qëllim shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore ndërkohë që vlerën do ta marrin pranë bankave të nivelit të dytë për çdo nxënës/prind/përfaqësues ligjor të nxënësve përfitues.

Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas përzgjedhjes mbi bazën e kritereve ekonomike, si dhe rezultateve të arritura nga secili nxënës.
Ndërkohë që, bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas miratimit të bursave, dërgon dokumentacionin përkatës në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar në Shkodër, i cili, pas konfirmimit të nxënësve që përfitojnë bursë, kalon masën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.

Efektet financiare  do të mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pa efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit. Ndërsa për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.