9 liqenet mahnitës në Tiranë për të kaluar një ditë pushimi të paharruar

687

A e dini se rreth Tiranës ka plot liqene mahnitës, të fshehur nëpër malet dhe kodrat e saj? Visit-tirana.com rendit në një nga artikujt e saj plot 9 të tillë, duke u lënë të drejtën lexuesve të shtojnë në listë nëse ata njohin të tjerë.

Ja një përshkrim i shkurtër për secilin prej tyre:

Liqeni Artificial i Tiranës

Liqeni Artificial i Parkut të Madh në Tiranë është liqeni më njohur dhe frekuentuar për shkak të vendndodhjes së tij. Aktivitetet që mund të bëni këtu janë: vozitje me varka, kanoeing dhe kayaking. Ju mund të merrni biçikletën dhe shëtisni rreth liqenit. Liqeni është ndërtuar me punë vullnetare në vitin 1955 duke shfrytëzuar disa prurje ujore të zonës. Pas shumë viteve harrese, ai u transformua tërësisht gjatë këtyre pesë viteve në një oaz qetësie dhe një nga destinacionet kryesore për qytetarët.

Liqeni i Farkës

Në zemër të fshatit Farkë ndodhet liqeni i bukur i Farkës. Ky liqen tani është i rrethuar me një pedonale moderne, ku njerëzit mund të ecin me kilometra rreth liqenit, dhe të shijojnë panoramën e qetë të tij. Mund të uleni në stolat e vendosura në anë të liqenit për t’u shlodhur dhe soditur pamjen.  Kryebashkiaku Veliaj është zotuar që kjo zonë do të jetë një park i dytë i madh për Tiranën.

Liqeni i Bovillës (rezervuari)

Liqeni i Bovillës është ujëmbledhësi më i madh i rrethit të Tiranës. Ai furnizohet me ujë nga lumi Tërkuzë, i cili buron nga pjesa veriore e Malit me Gropa dhe ujërat e shirave të kodrave përreth. Liqeni rrethohet nga një kurorë malesh. Nga çdo lartësi e maleve rretheqark liqenit, mund të shijohet pamja spektakolare e peizazhit.

Liqeni i Kasharit

Liqeni i Kasharit ose Rezervuari i Kasharit ndodhet vetëm 5 km larg qendrës së Tiranës dhe mund të shkohet me makinë, me biçiklet ose me autobusë deri në qendrën e Kasharit. Zona përreth Kasharit është shumë e bukur me peisazh fantastik, ku shtëpitë me çatit e kuqe ndodhen rrëzë kodrës. Liqeni i Kasharit dhe zona rreth tij është shpallur si Parku i Tretë i Tiranës nga bashkia e kryeqytetit.

Liqeni i Lepurit

Liqeni i Lepurit ndodhet në fshatin Shengjergj. Rrethuar nga pishat, malet dhe kodra ky liqen të mahnit me ngjyrën e pastër e të gjelbër.

Liqeni i Pezëhelmesit

Liqeni i Pezëhelmes ndodhet në fshatin Pezëhelmes shumë pranë Tiranës. Ai është i rrethuar nga të gjitha anët me kodra që dikur kanë qenë të tarracuara. Për të shkuar deri atje merr rrugën e vjetër nga Tirana në Durrës (Ndroqit) dhe kthehesh në të majtë të saj pasi del tabela Pezëhelmes, pak përpara Pezës. Rruga është e mirë dhe të shpie deri tek liqeni. Pamja e tij është shumë e bukur dhe relaksuese. Rreth tij ka shtigje në të cilat mund të bëhen ecje.

Liqeni i fshatit Prush

Liqeni i fshatit Prush është një liqen artificial, i cili është pozicionuar në një ambient të rrethuar me kodra të pyllëzuara me pisha. Aty të duket sikur je në nje oaz bimësie. Nuk është shumë i madh si liqen, por të ofron një pamje shumë relaksuese. Përreth liqenit mund të bëhet ecje në shtigjet që ka rrotull. Ndodhet shumë pranë qytetit dhe për të shkuar atje ndiqet rruga nga qendra në drejtim të Vaqarit. Pa shkuar në Vaqarr kthehesh djathtas dhe ndjek rrugën per në fshatin Prush. Rruga është shumë e mirë dhe mund të shkosh deri pranë liqenit.

Liqeni i fshatit Rov

Liqeni i fshatit Rov ndodhet midis Petrelës dhe Baldushkut, pikërisht buzë rrugës që i lidh këto dy zona. Rruga është kryesisht e mirë dhe mund të shkohet me makinë deri pranë liqenit. Buzë liqenit, mbi një nga kodrat që e rrethojnë atë shtrihet fshati Rov. Përreth tij mund të bëhet ecje në natyrë dhe në zonë ka një mori shtigjesh për t’u eksploruar. Është një destinacion ku dashamirësit e natyrës mund të gjejnë kënaqësi e paqe.

Liqeni i Fjollës

Ndodhet në fshatin Pezë e Madhe. Rruga për te ky destinacion është deri në hyrje të fshatit Pezë, e asfaltuar dhe më pas devijon majtas kur vjen nga Tirana në një rrugë rurale, por të mirë deri tek liqeni. Liqeni ndodhet në një vend të rrethuar nga pothuaj të gjitha anët me kodra të lartësive të ndryshme. Rreth tij nuk ka asnjë ndërtim dhe banesë dhe kjo e bën që ujërat e tij të jenë të pastra dhe shumë të mira për t’u larë në sezonin e verës. Uji i tij mbetet përherë me një ngjyrë jeshile të qartë. Bimësia rreth liqenit është e dendur dhe natyrale. Në kodrat rreth tij mund të praktikohet sporti i ngjitjes. Nuk ka shenja orientuese për tek ky destinacion. Pamja e liqenit nga lartësitë e kodrave është shumë e bukur.