94 milionë euro për bujqësinë: BE-ja autorizon fillimin e zbatimit të programit IPARD II për Shqipërinë

135

Komisioni Evropian njofton se ka autorizuar zyrtarisht fillimin e zbatimit të programit të Instrumentit për Para-Anëtarësim për Zhvillimin Rural II (IPARD II) për Shqipërinë.

IPARD II u mundëson fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kenë qasje në 71 milionë Euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020 – të cilat do të plotësohen me 23 milionë Euro nga Qeveria Shqiptare – duke siguruar gjithsej 94 milion Euro financim të disponueshëm për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural.

Kjo është një arritje e madhe dhe një lajm i shkëlqyer për të ardhmen e prodhimit bujqësor në Shqipëri dhe unë dëshiroj të përgëzoj autoritetet shqiptare për angazhimin e tyre. BE-ja është krenare që mbështet zhvillimin ekonomik të sektorit bujqësor të Shqipërisë. I inkurajoj fuqimisht fermerët dhe agrobizneset të jenë proaktivë, të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga fondet IPARD II dhe të aplikojnë për mbështetje financiare“, u tha Ambasadori Soreca medieve gjatë ceremonisë.

Programi IPARD do të kontribuojë ndjeshëm në konkurrencën e bujqësisë dhe sektorit të ushqimit. Ai do t’i ndihmojë fermat dhe bizneset të përmbushin standardet kombëtare dhe ato të BE-së mbi sigurinë e ushqimit, si dhe kërkesat veterinare dhe fitosanitare, në dobi të konsumatorëve vendorë dhe klientëve ndërkombëtarë. Ai do t’u mundësojë gjithashtu produkteve shqiptare të hyjnë në tregjet e BE-së dhe t’i diversifikojnë aktivitetet ekonomike në zonat rurale të vendit duke çuar në një cilësi më të mirë të jetesës rurale.