A e dini se cilat janë profesionet më të paguara në Shqipëri dhe sa është paga mesatare?

77

Profesionet më të paguara për tremujorin e parë të këtij viti janë ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë, specialistët me arsim të lartë (profesionistë), dhe teknikët dhe specialistët në zbatim.

Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tremujorin e parë, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është 52 232 lekë. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 701 lekë.

Paga mesatare e drejtuesve administrativë dhe komercialë llogaritet në tremujorin e parë të këtij vitit 147 430 lekë, për drejtues të prodhimit dhe shërbimesh të specializuara llogaritet 113 548 lekë.

Për specialistë të teknologjisë së informacionit paga mesatare llogaritet 96 292 lekë, për specialistë të administritmit të biznesit llogaritet një pagë mesatare prej 82 371 lekë, ndërsa për ligjvënësit dhe nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë llogaritet një pagë mesatare 85 938 lekë.

Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si aktivitetet financiare dhe të sigurimit, informacioni dhe komunikacioni, administrata publike dhe mbrojtja,sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale.

Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motocikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, dhe bujqësa, silvikultura dhe peshkimi.