A keni dëgjuar për djathin “Mishavinë” të Kelmendit? Nga sot mbrohet me ligj

42

Prodhimet e identifikuara si produktet shqiptare të origjinës do të jenë tashmë të mbrojtura me ligj. Produkti i parë i cili është regjistruar është djathi “Mishavinë”, karakteristikë e zonës së Kelmendit. Duke pasur parasysh mënyrën e saj të veçantë të prodhimit, lidhjen e fortë me traditën vendase dhe fakti se ajo është prodhuar me qumësht të papërpunuar, përbën një produk unikal, prandaj nga sot për të do të ketë një mbrojtje të veçantë.

Çfarë e bën kaq të veçantë këtë djath?
Mishavina ka një taktikë ndryshe të përgatitjes së saj. Ajo bëhet gjatë vjeshtës duke përdorur djathin e prodhuar nga qershori deri në shtator, nga qumështi i lopëve që ushqehen me kullotat e malit Trojan, në kufi me Malin e Zi. Ky djathë copëtohet me dorë, kriposet dhe lihet të fermentojë në një enë druri, e cila mbyllet hermetikisht me një shtresë gjalpi të freskët ose të shkrirë, duke mundësuar që lëngu i krijuar gjatë këtij procesi të kullojë nga vrimat në fund të enës. Pas gati dy muajsh, djathi është gati. Ai ka ngjyrë të bardhë në të verdhë dhe një përbërje kremoze.

Cilat janë përfitimet nga certifikimi i produketeve
Produktet me origjinë dallohen nga të tjerët sepse janë tipik dhe kanë identitet lokal dhe kanë disa përfitime. Mbrojtja mundëson parandalimin e përdorimit të të njëjtit emër ose kopjimin e produktit të mbrojtur apo çfarëdo lloj shtrembërimi që mund të hutoj blerësit. Kur është fjala për marketingun, emërtimi i mbrojtur ofron garanci për produktin autentik, me karakteristikat e tij origjinale të cilësisë. Emërtimi i mbrojtur po ashtu krijon shanse më të mëdha për shitje në tregun vendas dhe të jashtëm, teksa është një reklamë shumë e mirë e komunitetit në të cilën është prodhuar produkti.