Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit mirëpriti 2.8 milionë pasagjerë gjatë 4-mujorit

14

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit është tashmë aeroporti me fluksin më të lartë në rajon, me mbi 2.8 milionë pasagjerë vetëm gjatë 4 muajve të parë të 2024.

Kjo edhe falë linjave të reja dhe veçanërisht mundësive për lidhje me vende që nuk ishin të lehta e të arritshme më parë.

Një nga linjat më prestigjioze në botë, “Iberia” i është shtuar së fundmi listës së linjave që operojnë në Shqipëri, duke lidhur Tiranën me Madridin (3 herë në javë).

Nëpërmjet Madridit, udhëtarët nga Shqipëria tani kanë mundësinë të lidhen me të gjitha kontinentet dhe të përfitojnë nga lista e pasur e lidhjeve të Madridit me Amerikën Latine, Amerikën e Veriut dhe Azinë.

“Iberia” është pjesë e grupit IAG, ku përfshihet edhe British Airways, e cila është gjithashtu e pranishme në Shqipëri që nga viti 2006.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpriti 40 % më shumë pasagjerë, duke arritur një shifër prej 7 257 574 pasagjerësh në 2023-shin. Ndërsa këtë vit, numri i pasagjerëve pritet të shkojë 8.4 milionë.

Në janar të këtij viti ka nisur puna për zgjerimin e pistës në aeroportin e Rinasit, për të mundësuar fluturime transoqeanike. Parashikohet që në 3-mujorin e parë të vitit 2025 të nisin fluturimet Tiranë – Nju-Jork.

/ata.gov.al