Agjencia Europiane e Mbrojtjes së Kufirit nis misionin në Shqipëri

44

Agjencia Europiane e Mbrojtjes së Kufirit (FRONTEX) nis sot misionin e saj në vendin tonë. Falë marrëveshjes së nënshkruar në tetorin e vitit 2018, në vendin tonë pritet të zbarkojnë 50 oficerë të FRONTEX, që do të bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë me oficerët tanë të policisë kufitare dhe migracionit.

Për shkak të eksperiencës, mjeteve dhe pajisjeve, oficerët e FRONTEX do të jenë një vlerë e shtuar për vendin tonë. Oficerët e FRONTEX, do të jenë nga Gjermania, Republika Çeke, Kroacia, Sllovenia, Holanda dhe Rumania, ndërkohë që numri do të jetë fleksibël në varësi të situatave.

FRONTEX ka në fokus të punës së saj menaxhimin e integruar të kufijve, mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufijve me vendet e BE-së dhe me vendet e treta jashtë saj.

E krijuar në vitet 2004-2005, mbas flukseve të mëdha migratore me të cilat u ndesh gjithë Evropa kjo agjenci u fuqizua në staf duke kryer operacione jo vetëm në kufirin tokësor, por edhe në kufirin ajror dhe detar.