Agrobiznesi shqiptar në panairin më të madh të fruta-perimeve në Europë

17

Prodhuesit shqiptarë marrin pjesë në panairin më të madh të fruta-perimeve në Europë “Fruit Logistica” 2020, që po mbahet në Berlin të Gjermanisë.

Me mbështetjen e projektit ‘Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural’ financuar nga Qeveria Gjermane dhe zbatuar nga GIZ, kjo pjesëmarrje mundëson për prodhuesit shqiptarë akses më të madh në tregjet europiane dhe më gjerë.

Ky event është një nga ngjarjet kryesore në botë për tregtinë globale të produkteve të freskëta bujqësore dhe Shqipëria përfaqësohet për të disatën herë radhazi, me një numër gjithnjë në rritje të subjekteve por edhe gamë të shtuar produktesh që konkurrojnë denjësisht tregjet e huaja.

Panairi “Fruit Logistica”, mbledh çdo vit mesatarisht 3,200 ekspozues dhe 78,000 vizitorë. Ai mbahet me datat 5-8 Shkurt në Berlin, ku mblidhen kompani nga e gjithë bota që veprojnë në sektorin e agrobiznesit si dhe eksportit dhe importit të produkteve të freskëta.

Ky panair është një platformë ideale që krijon mundësi vendtakimi global dhe lehtëson krijimin e kontakteve të reja, zgjerimin e partneriteteve si dhe identifikimin e blerësve potencial.