Ahmetaj: Ligji për faljen e gjobave dhe detyrimeve miratohet në mes të shkurtit

264

Ligji për faljen e detyrimeve dhe gjobave pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë në mes të muajit shkurt. Lajmi është konfirmuar nga ministri i financave Arben Ahmetaj në emisionin “Kapital” në Vizion Plus.

Drafti pritet më pas ta kalojë në qeveri, të diskutohet në Komisionet Parlamentare dhe të miratohet nga Kuvendi, procedurë që duket se do të zgjasë rreth një muaj. Por, e rëndësishme është që ai tashmë ka marrë konsensusin e FMN-së, që pak muaj më parë hodhi poshtë një draft fillestar që parashikonte faljen e detyrimeve parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti deri në 2015-n, do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatëvonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve.

Ahmetaj tha se në bazë të variantit përfundimtar do të fshihen të gjitha detyrimet e krijuara deri në 31 dhjetor 2010.

Nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014 do të falen gjobat me kusht që të paguhet detyrimi i plotë.

Falje të gjobave do të ketë edhe pas vitit 2014, por vetëm për dy kategori. Së pari gjobat që u vunë në qershor të vitit të kaluar nga sistemi për vonesa të deklarimit të administratorit, por edhe vonesat në deklarimin e  punonjësve. Ahmetaj thotë se këto gjoba do të falen për të gjithë, edhe pse ngul këmbë se ato nuk janë vënë gabim. Një pjesë e bizneseve që kanë paguar këto gjoba pasi nuk arrinin të merrnin dot vërtetime mund të kërkojnë që ato të zbriten nga detyrimet që kanë për të paguar.

Së dyti, do të falen gjobat për kompanitë e kasave, që u vunë gjatë periudhës së aksionit anti-informalitet për vonesa në furnizimin me kasa fiskale.

Burimi: Revista Monitor