AIDA, hapen aplikimet për fondet e ”start up”, ekonomisë kreative dhe konkurrueshmërisë

152

Bizneset që duan të rrisin konkurrueshmërinë dhe të rrisin eksportet e tyre në tregjet e huaja mund të përfitojnë nga skema e mbështetjes që mundësohet përmes Fondeve të miratuara nga qeveria dhe nën menaxhimin e Agjencisë Shqiptare për Zhvillimit të Investimeve.

Kjo e fundit ka  rifreskuar në faqen e saj zyrtare informacionin për fondet e disponueshme ku përveç atij të konkurrueshmërisë është edhe ai për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja “Start up” apo ekonomisë kreative duke çuar fondin total për tre kategoritë në 48 milionë lekë. Por si ndahen këto fonde?

Fondi për “Start Up”

Një tjetër fond në mbështetje të sipërmarrjes është ai për kompanitë e reja. Ky fond ka për qëllim të mbështesë bizneset e sapo krijuara “Start-Up” në Shqipëri, nëpërmjet subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë për këtë kategori biznesi duke përmirësuar klimën dhe kushtet operuese të tyre, me synim krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. “Fondi “Start – Up” jep grante deri në 500 mijë lekë për projekt, por mbulon vetëm 70% të kostove të angazhuara. Buxheti i miratuar për këtë fond, për këtë vit është 10 milion lekë. Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-up” është krijuar për t’i shërbyer Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në: Sektorët prodhues dhe të shërbimit, sektorin e industrisë së lehtë, sektorin e turizmit, fushën e kërkimit dhe të zhvillimit, procesin e agropërpunimit, fushën e dizenjimit, modelimit, artizanatit.

Ekonomia kreative

Lidhur me fondin e ekonomisë kreative për vitin 2019 janë parashikuar 10 milionë lekë në buxhetin e shtetit dhe që shkojnë për zhvillimin e sektorit të artizanatit dhe zejtarisë. Projektet që përzgjidhen nga sektori i artizanatit mbulojnë fushat që lidhen me zhvillimin e produkteve të reja, blerjen e pajisjeve për nxitjen e prodhimit, marketingun e produktit apo kualifikimin dhe ndërtimin e kapaciteteve menaxheriale të ndërmarrjes aplikuese.

Fondi i konkurrueshmërisë

Për vitin 2019 janë parashikuar 28 milionë lekë për të financuar skemën e grantit për Ndarje të Kostove në ndihmë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe përpjekjeve të tyre për të konkurruar në tregun e huaj. “Objektivi i kësaj iniciative është të ndihmojë kompanitë shqiptare të depërtojnë me eksportet e tyre në tregjet e huaja, duke siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për aktivitete që do të ndihmojnë në zbatimin e planit të tyre të marketingut për eksport. Ndërmarrjet që do të ndihmohen me anë të këtij fondi janë, ndërmarrje mikro, të vogla ose të mesme me fokus eksporte. Fushat kryesore që mbulon fondi janë prodhimi dhe shërbimi, më konkretisht:   Sektori i industrisë së përpunimit aktiv(fasonet); Sektori i industrisë së lehtë; Sektori i agropërpunimit; Sektori i kërkimit dhe zhvillimit” thuhet në faqen e AIDA-s.

Aplikimet për këto fonde vit pas viti kanë mbetur të hapura deri në 1 nëntor duke i dhënë kohë bizneseve të interesuara që të aplikojnë përgjatë 11 muajve të vitit.

Burimi: Revista Monitor