AIDA: Tirana, ndër destinacionet më të mira për të investuar

18
Tirana është pjesë e listës së qyteteve dhe rajoneve europiane të së ardhmes, si një nga destinacionet më të mira për të investuar.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), njofton se, në raportin vjetor “Qytetet dhe rajonet europiane të së ardhmes 2024” publikuar nga FDI Intelligence, Tirana renditet në vendin e 7-të në kategorinë e 10 qyteteve me madhësi të mesme për sa i përket efektivitetit të kostove.
Referuar FDI Intelligence, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana inkuadrohet në radarin e investitorëve të huaj si një vend tërheqës që ofron kosto të ulëta të të bërit biznes.

Treguesi i eficiencës së kostos, i matur nga FDI Intelligence, sipas metodologjisë së shpjeguar prej saj, merr parasysh elemente të tilla si paga mesatare e punonjësve të kualifikuar dhe të pakualifikuar, qiraja për zyra premium industriale sipas kategorisë A, paga minimale, kosto e hapjes së biznesit, kosto e regjistrimit të pasurisë, kosto e lejeve të ndërtimit, çmimet e naftës, çmimet e hoteleve me 4 dhe 5 yje, kosto e lidhjes së energjisë, tatimfitimi, TVSH, normën totale të taksave në % të fitimit dhe të ardhurat për frymë të vendit, të matura sipas fuqisë blerëse.

/ata.gov.al