Amareta të Shkrifëta Shtëpie – Ëmbëlsi e Lehtë Magjike

24

Janë të lehta si një pupël, të shijshme ndërsa të përfshijnë tërësisht me ëmbëlsinë e tyre.

Duhen vetëm 10 minuta në përgatitje dhe 25 minuta në pjekje dhe në fund rezultati do t’ju mrekullojë me shijen e tij.

Sekreti i shijes së këtyre amaretave qëndron tek arra e kokosit e grirë, e cila është edhe përbërësi kryesor i këtyre ëmbëlsirave.

Nëse zakonisht ëmbëlsirat, biskotat apo amaretat përgatiten me miell gruri apo edhe misri, rolin e miellit tek përgatitja e këtyre amaretave e luan arra e kokosit e grirë.

Një tjetër përbërës fantastik që i bën këto amareta edhe më të veçanta është qumështi i kondensuar, i cili e bën brumin të shkrifët dhe të butë njëkohësisht.

Ndiqni më poshtë recetën fantastike nga AgroWeb.org dhe përgatiteni krejt lehtë në shtëpi për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.

Përgatitja e Amaretave të Shkrifëta në Shtëpi

Përbërësit

  • 400 gr arrë kokosi e grirë (e gjeni në supermarkete)
  • 400 gr qumësht i kondensuar i ëmbël (e gjeni në supermarkete)
  • 1 një lugë çaji pluhur vanilje
  • 2 të bardha vezësh të mbajtura në temperaturë ambjenti
  • Më pak se gjysma e një luge kafeje me kripë

Përgatitja

Parangrohni furrën e sobës në temperaturë maksimale.

Në një tas të madh përzieni arrën e kokosit të grirë, qumështin e kondensuar të ëmbëlsuar dhe vaniljen.

Përziejeni mirë të gjithë masën derisa të bëhet e njëtrajtshme.

Në një tas tjetër, shtoni të bardhat e vezëve si dhe kripën dhe rrihini fortë.

Bashkojini me masën e arrave të kokosit dhe qumështit të kondensuar.

Përzjeini të gjitha bashkë. Shtroni letër pjekjeje në tavë dhe vendosni nga një lugë gjelle me brumin e përftuar.

Vendosini amaretat rreth 2 centimetra larg njera tjetrës sepse gjatë pjekjes amaretat do të fryhen dhe zmadhohen disi.

Piqini përreth 25 minuta derisa ngjyra e tyre të bëhet e artë në të kaftë. Lërini të ftohen dhe më pas shërbejini. Mund t’i shoqëroni me një filxhan kafeje por edhe çaji gjithashtu.

/ata.gov.al