Duke filluar nga data 8 Maj çdo individ apo shoqëri që ka në pronësi një mjet ndaj të cilit prej vitesh nuk ka kryer asnjë procedurë në zyrat e shtetit dhe kërkon ta çregjistrojë duhet të paraqitet në zyrat e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor.
Në një intervistë për News 24 nëndrejtori i Drejtorisë së Transportit Rrugor, Gani Çupi shpjegon dokumentet që duhet të ketë me vete çdonjëri që duhet të çregjistrojë mjetin.
“Një qytetar që do të paraqitet për të çregjistruar mjetin duhet të ketë me vete kartën e identitetit, certifikatën e pronësisë së mjetit dhe targat që ka pasur në përdorim, pasi të paraqitet pranë sporteleve tona me këto dokumentacione do të plotësojë dhe formularin që kemi hartuar ne për çregjistrim mjeti dhe të gjitha shërbimet janë falas pa pagesë. Për shoqëritë që do të paraqesin personin e autorizuar të ketë me vete kartën e identitetit edhe dokumentacionin, leje qarkullimi, certifikatë pronësie dhe targat e mjetit që ai do të heqë nga regjistri jonë”,- tha Çupi.
Përsa i përket atyre qytetarëve që duan të mbajnë mjetin aktiv dhe u duhet të paguajnë detyrimet, duke ju falur kamatëvonesat dhe gjobat, duhet të kenë të njëjtat dokumente me vete. Ndryshimi është vetëm në plotësimin e formularit. Por si veprohet nëse shoqëria apo individi nuk sjell dot personin përkatës?
“Nëse ai person nuk vjen dot, ai duhet të sjellë një person të autorizuar me prokurorë për të kryer veprimet në emër të personit apo shoqërisë për të kryer veprimet e çregjistrimit apo për ta bërë aktiv në të dy rastet ai paraqet prokurë”, sqaron më tej nëndrejtori i DPSHTRR.
Targa e mjetit, lloji, ngjyra do të jenë të publikuara në faqen zyrtare të Drejtorisë së Transportit rrugor, gjithashtu dhe në çdo qark do të jenë sportele të veçanta që qytetarët të bëjnë aplikimet. Por kujdes, nëse deri në datën 31.12.2017 ju nuk aplikoni për çregjistrimin apo mbajtjen aktivë të mjetit, në fillim të vitit 2018 të gjithë ato targa që janë në listën e faljes së gjobave dhe kamatëvonesave do t’i dërgohen ministrisë së brendshme dhe Drejtorisë së Policisë për tu bërë sekuestrimi i mjetit.
Burimi: Lexo.al