Anastas Kostandini, mozaik me motive ilire për qytetin e Pogradecit

66

Anastas Kostandini (Taso) prej disa javësh ka nisur punën për krijimin e mozaikut mural me motivet e paftës ilire të zbuluar në Selcën e Poshtme.

Kjo murale do të ekspozohet në një nga pjesët kryesore të qytetit të Pogradecit. Pafta, e cila daton në shek. III para Krishtit, është e zbukuruar me një skenë luftimi ku luftëtarët ilirë mposhtin armikun, e ndërthurur kjo me elementet mitologjike, siç janë dragoi, grifoni, peshku dhe zogjtë.

E gjithë skena e treguar në këtë artifakt është një interpretim i legjendës së Kadmit, i cili pasi i ndihmoi enkeleasit të triumfonin mbi armiqtë, u shndërrua në një dragua.

Anastas Kostandini, i mbiquajtur Taso, është një piktor, mozaist, vizatues, grafist, ilustrator i mirënjohur. Taso lindi në 29 korrik të vitit 1954 në Pogradec. Në 1978 u diplomua në Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë, i specializuar për art monumental. Është një nga bashkë autorët e mozaikut “Shqipëria”, në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar.

/ata.gov.al