Anija turistike “MS Monet”, kroçera e radhës e ankoruar në portin e Durrësit

1

Anija turistike “MS Monet” është kroçera e radhës që është ankoruar në kalatën nr. 5, ndërsa ka sjellë 60 turistë të huaj në qytetin e Durrësit.

Ajo ka kapacitet akomodues deri në 158 pasagjerë, është 68 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë.

Kjo nuk do të jetë ndalesa e vetme e “MS Monet” në portin e Durrësit, pasi ajo pritet të rikthehet sërish në brigjet e Durrësit përgjatë këtij sezoni veror.

Përfshirja, gjithnjë e më shumë në guidat turistike, shënon edhe interesin e shtuar të pushuesve të huaj për vendin tonë në këtë sezon turistik.

Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre, jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.

Janë 1.9 milionë më shumë se viti 2021 dhe 18 % më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave.

Po ashtu, raporti jep të dhëna interesante të tregjeve të reja që po rriten me shpejtësi. 85% më shumë vizitorë nga Anglia; 3.7 herë më shumë vizitorë nga Spanja; 2 herë më shumë vizitorë nga Sllovenia; 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda; 84 % më shumë vizitorë nga Turqia; 2 herë më shumë nga vendet nordike; pa harruar edhe mysafirët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe hyrjet nga vendet e tjera të Ballkanit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se, të ardhurat vjetore nga turistët e huaj në vitin 2022 arritën 2.84 miliardë euro, ose 36 % më shumë sesa në vitin 2019.

Ndërkohë, autoritetet në vend janë optimiste për një sezon të mbarë turistik edhe përgjatë këtij viti, teksa kanë deklaruar se deri tani janë rezervuar 83 % e kapaciteteve turistike në vend.

/ata.gov.al