Anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës drejt parkut të vetëm detar kombëtar, Sazan-Karaburun, kanë nisur udhëtimet e tyre të mbushura me turistë vendas e të huaj.
Në këto ditë të nxehta qershori, turistët e shumtë preferojnë të kalojnë disa orë në këtë park detar, që vitet e fundit është kthyer në destinacionin e preferuar turistik.
Lorenc Rexhepaj, kapiteni i portit të Vlorës bën të ditur për ATSH-në se “gjatë muajit maj drejt Sazan-Karaburunit kanë udhëtuar 1037 turistë vendas e të huaj, ndërsa në qershor 2743 turistë vendas e të huaj”.
“Operatorët turistikë që zgjodhën të nisen nga Porti i Vlorës drejt destinacioneve atraktive si Karaburuni dhe Sazani, operuan me 15 anije”, tha Rexhepaj.
Udhëtimi me anije iu ofron mundësi turistëve për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.
Me një shtrirje detare rreth 1,9 km në këtë park detar ndodhen monumentet e natyrës, Shpella e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike. Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë.
I shpallur në vitin 2010 park kombëtar detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë.
/ata.gov.al