Aparatura unike në spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme

0

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT është një prej investimeve më të rëndësishme të shëndetësisë në dekadat e fundit, për të garantuar një standard krejt të ri shërbimi mjekësor për qytetarët.

“Në spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, me instalimin e aparaturave të fjalës së fundit të teknologjisë, unike në Shqipëri, bëhemi gati për fazën finale të çeljes së veprës më të madhe të shëndetësisë të dekadave të fundit”, theksoi Manastirliu.

“Është një nga hapat e modernizimit të shërbimeve në sëmundjet e brendshme në këtë spital të ri, që do të pasohet nga transferimi i aparaturave ekzistuese. Kjo aparaturë e re rrit numrin e ndërhyrjeve invazive, por nga ana tjetër edhe kompleksitetin e ndërhyrjeve ne zemër, por edhe aspekte të tjera të procedurave që ky aparat mund të shërbejë”, nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj, në spital ka një seri aparaturash të reja si eko, grafitë dhe pajisjet ekzistuese që do të transferohen.

U shpreh se brenda muajit mars spitali mund të fillojë funksionimin.

Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, një investim madhor i cili do të sigurojë standardet më të larta europiane në çdo aspekt, ka një kapacitet prej 350 shtretërish.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, dhe së bashku me shërbimet ekzistuese, ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.

Spitali i ri do të ketë edhe një spital ditor me 60 shtretër, për rritjen e eficiencës së shërbimeve.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ketë 9 salla leksioni për studentët e mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.

/ata.gov.al