Aplikacioni TEA, paketa e turizmit kulturor nga tradita e gatimit tek muzika dhe teatri

6

Në aplikacionin “Eventet turistike të Shqipërisë’, TEA, mund të gjeni një sërë aktivitetesh të turizmit kulturor në Shqipëri që do të zhvillohen gjatë kësaj jave.

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau në rrjetet sociale paketën e turizmit kulturor në Shqipëri për këtë javë.

Me Aplikacionin TEA, sot për të 6-tin vit radhazi “Festa e fërgesës” ju fton që të njiheni me larmishmërinë e traditave të gatimit të popullit shqiptar kryesisht me specialitetet e Shqipërisë së Mesme.

Aplikacioni TEA ju udhëzon si të kaloni dy net me muzikë në qiell të hapur, në qendër të kryeqytetit, pranë Instalacionit Reja.

Tingujt e Jazz-it dhe Blues-it vijnë për adhuruesit e kësaj muzike për të dytin vit radhazhi në datat 12 dhe 13 korrik në kryeqytet, përmes Festivalit Gjon Mili “Jazz and Blues Festival”, në orën 20:00.

Aplikacioni TEA vjen me një ide për të kaluar një mbrëmje fantastike në bregdetin e bukur të Shëngjinit të Lezhës. Përzgjidhni baletin kontemporan Humus dhe shijoni emocionet e kërcimit bashkëkohor, në një himn kushtuar jetës, natyrës, dashurisë për tokën dhe mbrojtjen e saj.

Më 14 korrik, ora 20:00 të gjithë në Shëngjin për të shijuar një mbrëmje baleti.
“Netët e librit” në qytetin e bukur të Vlorës është një event që Aplikacioni TEA jua rrëfen përmes guidës së saj dixhitale, të cilin mund ta përzgjidhni për të kaluar mbrëmjen e sotme në qytetin e bukur bregdetar të Vlorës. Shijoni një ditë në plazhet e bukura të qytetit nën diell dhe më pas në mbrëmje mund të shijoni letërsi të zgjedhur.

Aplikacioni TEA iu çon në Amfiteatrin e Durrësit i cili mbart vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike. “Tani keni sy për të parë” këtë të shtunë datë 15 korrik, mos e humbisni.
Aplikacioni TEA ju fton në Himarë, aty ku ndodhet Porto Palermo, destinacioni turistik mes detit dhe legjendës.

“Porto Palermo Festival”, duke filluar nga data 16 korrik deri në 14 gusht, në çdo fundjavë me gjithsej 15 spektakle do të dhurojë muzikë, art dhe vlera kulturore.

Me aplikacionin TEA si asnjëherë tjetër gjeni një koncept të ri, modern dhe mjaft argëtues të përrallës klasike aq të dashur për fëmijët. Për herë të parë, një ndër përrallat më të bukura klasike, do të interpretohet e gjitha nga një aktore e vetme. Një magji skenike, plot me ëmbëlsi, humor dhe me mesazhe.

TEA është një risi teknologjike për turizmin shqiptar. Një kalendar digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni miqësor për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës duke ju dhënë mundësinë që për të parën herë të krijoni paketa të turizmit kulturor dhe të udhëtoni nëpër kulturën, trashëgiminë, artet, sportet dhe kulinarinë e pasur të Shqipërisë.

/ata.gov.al