Arkiva shqiptare, dixhitalizohen mbi 200 milionë dokumente

134

Mbi 200 milionë dokumente arkivore për shqiptarët dhe historinë e shtetit shqiptar, deri dje vështirësisht të depërtueshme, sot, janë lehtësisht të aksesueshme, falë jo vetëm transformimit të ambienteve, por edhe sistemit të dixhitalizimit të dokumenteve arkivore.

Tashmë kushdo i interesuar mund t’i kërkojë dhe konsultojë online ato përmes aplikacionit të ngjashëm me modulet e vendeve më të zhvilluara. Sikundër mund të aksesohen lehtësisht në institucionin arkivor, ku mjaftojnë vetëm 20 sekonda për t’u pajisur me kartën e përdoruesit, sipas kategorive, çka u mundëson aksesin në çdo dokument.

Zhvillimet teknologjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave kanë sjellë edhe përafrimin e arkivave shqiptare me arkivat euvropiane. DPA është bërë pjesëtare me të drejta të plota e Fondacionit të Portalit të Arkivave Evropiane. Kjo e bën arkivin shqiptar të parin vend të Ballkanit Perëndimor pjesë e Portalit të Arkivave Europiane.