Artistët kthejnë muret e lagjes në vepra arti, vendosin librat e preferuar të banorëve

24

Çdo mur apo gardh mund të shndërrohet në një vepër arti, duke sjellë kështu gjallëri e në të njëjtën kohë të jetë më afër njerëzve se çdo pikturë tjetër e vendosur në galeritë e arteve.

Arti në rrugë është një formë e veprave të artit që shfaqet në ndërtesat përreth një komuniteti, rrugëve apo trenave. Në të shumtën e rasteve arti i rrugës përdoret si formë e të bërit deklaratë publike nga artisti, për shoqërinë në të cilën jeton, e cila shpesh vie edhe në formë revolte.

Artistët Holandezë Jan Is De Man dhe Deef Feed, vitin e kaluar, në një ndërtesë në Utrecht të Holandës pikturuan një mural letrash 3D trompe l’oeil.

Dyshja e kthyen anën e ndërtesës trekatëshe në një raft libra me shumë nivele të mbushur me librat dhe koleksionet e tyre të preferuara si dhe disa tituj fiksional të librave që kanë autorësinë e tyre.

Artistët u kërkuan edhe banorëve të ndërtesës që t’u jepnin titullin librit të tyre të preferuar, në mënyrë që ta përfshinin atë në murale. Ata gjithashtu përfshinë në murale një libër të vogël të zi në anën e majtë të raftit të poshtëm i cili përmban një logo të vogël, por të veçantë të lepurushit Playboy në shpinë.

Që nga koha kur ky mural është bërë pjesë e kësaj ndërtese është bërë një burim artistik për të bashkuar fqinjët, si dhe për njerëzit që vijnë ta vizitojnë dhe t’i shohin muralet.