Aventura e 107-vjeçarit, feston ditëlindjen duke përshkruar 15 km me biçikletë

120

Nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar 107-vjetorin e lindjes, sesa shëtitja me biçikletë. Kjo është ajo që ka menduar çiklisti Robert Marchand për ditëlindjen e tij, teksa u pa të përshkonte 15 km me biçikletë në rrugët e Ardeche, një zonë që është në jug të Francës, i shoqëruar nga të gjithë mbështetësit e tij.

Moti nuk ishte në kushtet më ideale, pasi ishte ftohtë, megjithatë kjo nuk e pengoi Marchand, tashmë 107-vjeçar, që të bëjë xhiron e tij.

“Ishte e vështirë për mua gjatë këtij viti, por nuk është edhe aq keq. Nuk është se dua të thyej rekorde, por çdo mëngjes stërvitem për të qëndruar në formë. Unë e bëj vet pazarin e çdo gjë tjetër, sepse nuk mund të qëndroj të gjithë ditën ulur në divan, duke pirë ndonjë gjë”, thotë Marchand.

Robert Marchand është njeriu i 9 që e ka kaluar moshën 100-vjeçare. Ai ka aplikuar sportin e çiklizmit dhe në vitin 1946, në moshën 35-vjeçare u rendit i 7-i në Çmimin e madh të Kombeve.

Pas shkëputjes nga ky sport, ai u rikthye ta aplikonte sërish atë në 1978-n, e vazhdon të stërvitet edhe sot, pavarësisht se i ka kaluar të 100 vitet.

Në shkurt të vitit 2012, ai vendosi rekordin botëror të orës për grupmoshën 100 vjeç, teksa për 60 minuta përshkoi 24.2 km, rekord të cilin e përmirësoi në vitin 2014, teksa përshkoi 26.9 km për 1 orë.

Në janar të vitit 2017, Marchand vendosi një tjetër rekord. Këtë radhë për grupmoshën 105 vjeç, me 22.5 km të përshkuara për një orë. Në moshën 105-vjeçare ai shënoi emrin e tij në librin e rekordeve “Guinness”, si çiklisti më i vjetër në moshë që është ende konkurrues.