Banorët e Mënikut, tashmë me urë të re

299

Falë emisionit “Fiks Fare”, banorët e fshatit Mënik më në fund i kanë thënë lamtumirë urës pasarelë, mbi të cilën rrezikonin çdo ditë jetën e tyre.

Shqetësimi i tyre, i ngritur prej vitesh në emisionin investigativ, më në fund u zgjidh. Së fundmi banorët e Mënikut inauguruan urën e re me konstruksion betoni dhe me një peshë prej 20 tonë.

Tashmë banorët e fshatit, vetëm 6 kilometra larg Tiranës do të shkojnë deri tek dera e shtëpisë me makinat e tyre e jo të parkojnë nga ana tjetër e lumit Erzen dhe të kalojnë mbi pasarelë për të shkuar në shtëpi.

Edhe produktet e tyre nuk do jetë më e nevojshme t’i transportojnë me kuaj e gomerë në orët e para të mëngjesit në lumë.

Bashkia e Tiranës, pas disa kronikave që “Fiks Fare” i kushtoi shqetësimit të këtyre banorëve, ndërtoi objektin prej betoni dhe metali, me premtimin se edhe shtresa e sipërme e urës, e cila aktualisht është me dërrasa, do të zëvendësohet me beton.

Burimi: Top Channel