Bashkia e Tiranës nënshkruan Kartën Europiane për Barazi Gjinore

255

Bashkia e Tiranës i bashkohet edhe zyrtarisht nismës për zbatimin e detyrimeve që lindin nga Karta Europiane për Barazi Gjinore, me qëllim arritjen e një jete më të mirë për qytetarët, pavarësisht gjinisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, David Saunders, firmosën sot Kartën Evropiane pёr Barazi të grave dhe burrave nё jetёn vendore. Me nënshkrimin e këtij dokumenti, Bashkia e Tiranës angazhohet publikisht që të hartojë dhe miratojë “Planin e Veprimit për Barazi” dhe ta zbatojë atë në vazhdimësi, duke raportuar rregullisht për ecurinë e këtij plani dhe në të njëjtën kohë, angazhohet të bashkëpunojë me qeveritë lokale dhe rajonale në Europë.

Karta Evropiane për Barazi të Burrave dhe Grave në Jetën Vendore u drejtohet organeve të qeverisjes vendore dhe rajonale të Europës, të cilat ftohen ta nënshkruajnë dhe të zbatojnë, brenda territorit të tyre, angazhimet e përfshira në të. Nenet e Kartës Europiane për Barazi, paraqesin masa se si bashkitë dhe qarqet mund të punojnë për përmirësimin e barazisë gjinore në fusha të ndryshme të kompetencave të tyre. Me nënshkrimin e Kartës Europiane, bashkitë në Shqipëri mund të përfitojë nga praktikat më të mira europiane duke rritur njëkohësisht prezencën e tyre në nivel Europian si dhe bashkëpunimin në fushën e barazisë gjinore. Deri më sot ky dokument është nënshkruar nga 1500 autoritete vendore dhe rajonale në 33 vende të Europës.