Bashkim Shehu vlerësohet me çmim special në “Prix Méditerranée Etranger”

356

Bashkim Shehu dhe romani i tij “Loja, shembja e qiellit” pasi fitoi çmimin letrar “Balkanika” dhe u botua në Francë, u përfshi në konkurrimin për Prix Méditerranée Etranger 2018, ku edhe meritoi Vlerësimin Special të jurisë.

Prix Méditerranée Etranger është një nga çmimet letrare më të rëndësishme që jepet çdo vit në Francë për letërsinë e përkthyer. Fitues, ndër të tjerë, gjatë viteve: Ismail Kadare, Umberto Eco, Jashar Qemal, Orhan Pamuk, Claudio Magris etj. Këtë vit ky çmim iu dha shkrimtarit amerikan Daniel Mendelsohn, fitues gjithashtu i shumë çmimeve të tjera me prestigj, amerikanë ose ndërkombëtarë, dhe një nga kontribuuesit kryesorë në New York Review of Books.

Ndërsa romanit “Loja, shembja e qiellit” iu dha “Vlerësimi special i jurisë”, që kryesohej nga anëtari i Akademisë Franceze Dominique Fernandez. Është hera e dytë, në 27 edicionet e këtij çmimi, që krahas fituesit jepet një vlerësim i tillë. Libri flet për dramën psikologjike të një të riu në një raport problematik me autoritetin atëror, me autoritetin pushtetor dhe me autoritetin e Zotit.

Rini e ndërprerë, dëshira dhe dashuri të gjymtuara: i përndjekur nën diktaturë me internim dhe me burg, i çorientuar në post – diktaturë, i rrethuar “nga një valle marramendëse fantazmash që e ka ndjekur gjithë jetën”, siç thuhet në roman, kërkon rrugëdalje nëpërmjet fesë dhe nuk arrin të besojë. Është miqësuar ndërkaq me një prift françeskan, bashkëvuajtës i tij, tek i cili gjen mbështetje shpirtërore. Dhe dikur, mbas burgut, vendos të shpaguhet për mikun: një shpagim pa dhunë, e megjithatë i tmerrshëm, i pamëshirshëm. A mund t’i shkojë gjer në fund asaj që ka vendosur? Në fabulën e romanit ndërthuren skena të dy epokave, duke përfshirë edhe ngjarje reale të futjes së armëve në Kuvendin Françeskan të Shkodrës nga Sigurimi i Shtetit.

Burimi: Shqip.com