Bashkitë Malësi e Madhe dhe Shkodër, bashkëpunim për studimin e vijës së përbashkët liqenore

15

Bashkitë Malësi e Madhe dhe Shkodër, janë duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën për studimin e vijës së përbashkët liqenore, me qëllim diversifikimin e ofertës turistike në rajonin verior të vendi.

Lajmin e bëri të ditur Kryetari i Bashkisë të Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj i cili tha se “projektet që po hartohen dhe më pas jetëzimi i tyre, synojnë ta kthejnë zonën në një prej atraksioneve të shumta turistike”.

Në një prononcim për mediet, Marinaj vuri në dukje se, pak ditë më parë Këshilli Bashkiak i Malësisë së Madhe, ka miratuar buxhetin që pritet t’i shërbejë nevojave të qytetarëve dhe projekteve të tjera të zhvillimit në zonë përgjatë vitit 2024.

Sipas tij, buxheti për vitin 2024 në total është 1 miliard e 200 milion lekë, parashikon ndërhyrje në infrastrukturën rrugore dhe përmirësimin e shërbimeve në fushën e turizmit. Një fond i posacëm është krijuar për skemat e minimizimit të mbeturinave.

“Nisur dhe nga numri i lartë i vendeve turistike që përfshin, Malësia e Madhe ka tërhequr një numër të madh vizitorësh këtë vit, ndaj edhe ndërtimi i infrastruktures me parametra optimale pritet që të nxisë sa më shumë banorë vendas që të investojnë”, tha Marinja.

/ata.gov.al