BB: Në 2020, ekonomia shqiptare do të rritet me hap më të shpejtë se në 2019

27

Tërmeti duket se nuk do të përkthehet në një goditje për ekonominë, të paktën në terma të rritjes. Banka Botërore është institucioni i parë që çdo fillim vit publikon projeksionet për të gjitha ekonomitë e botës, ndërkohë që përkon edhe me të parin institucion që bën një rishikim të rritjes ekonomike, që prej tërmetit të datës 26 nëntor.

Për Bankën Botërore, rritja ekonomike këtë vit do të jetë në 3.4%, nga 2.9% që vlerësohet viti 2019. Krahasuar me projeksionin e mëparshëm, rritja është shkurtuar me 0.3 pikë përinqdje, gjë që mund të ketë shumë pak, ose aspak lidhje me tragjedinë e 26 nëntorit dhe pasojat që pritet të prodhojë ajo ngjarje.

Shkurtimi i projeksioneve krahasuar me qershorin mund të jetë edhe rrjedhojë e kushteve të jashtme, kryesisht ngadalësimit të ekonomisë globale, e veçanërisht asaj të eurozonës, gjë të cilën Banka Botërore e evidenton si një rrezik për rajonin.

Edhe për Kosovën projeksionet janë shkurtuar në të njëjtën masë me 0.3 pikë përqindje. Ndërkohë, edhe për vitin e ardhshëm projeksionet janë shkurtuar lehtë, me 0.2 pikë përqindje, dhe rritja parashikohet në 3.6%, si dhe në 3.5% përgjatë 2022.

Shqipëria projektohet si ekonomia e tretë në rajon në terma të rritjes ekonomike këtë vit, pas Kosovës dhe Serbisë.