BE jep 1.1 milionë euro për 6 bashki, ja projektet që do realizohen

170

Gjashtë bashki shqiptare janë shpallur fituese në thirrjen e parë të skemës së granteve të projektit “BE për Bashkitë” financuar nga Bashkimi Evropian.

Me një mbështetje prej 1.1 milionë eurosh, Bashkimi Evropian përmes kësaj thirrjeje po mbështet ndërtimin, rivitalizimin dhe restaurimin e 11 objekteve arsimore, sociale, kulturore dhe tregtare në bashkitë Mat, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Pukë dhe Përmet. Përfituesit kryesorë do të jenë të rinjtë, gratë dhe kategoritë e cenueshme.

Konkretisht në bashkinë e Beratit do të kryhet përmirësimi i infrastrukturës në 3 objekte arsimore.

Në bashkinë Shkodër do të bëhet ngritja e një qendre komunitare multifunksionale dhe ofrimi i shërbimeve për 500 anëtarë të komunitetit.

Në bashkinë Pukë do të kryhet rikonstruksioni i 2 objekteve sportive si dhe krijimi i një Qendre të Inovacionit për të rinjtë.

Në bashkinë Përmet do të kryhet rikonstruktimi i godinës publike për krijimin e një qendre rinore.

Në bashkinë Mat do të kryhet rivitalizimi i Pallatit të Kulturës për 5000 persona të komunitetit.

Në bashkinë Gjirokastër do të ndërtohet një treg lokal artizanal tradicional rom.