BE jep 6.3 milionë euro për reformën e ujit në Shqipëri

172

Bashkimi Europian do të investojë 6.3 milionë euro në mbështetje të reformës së sektorit të ujit në Shqipëri.

Prioritetet kryesore të reformës së sektorit të ujit në Shqipëri janë ruajtja e cilësisë së ujit, përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe trajtimi i ujërave të zeza.

Në mbështetje të kësaj reforme si dhe progresit të Shqipërisë drejt përafrimit dhe implementimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian, nisi sot zbatimin programi i rëndësishëm për ndërtimin e kapaciteteve “Mbështetja e Bashkimit Evropian në Reformën e Sektorit të Ujit në Shqipëri”.

Programi është pjesë e strategjisë kombëtare IPA 2016 për Shqipërinë dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, me një total prej rreth 6.3 milion euro.

Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) do të zbatojë komponentin e parë të programit, i cili fokusohet në menaxhimin e integruar të ujrave. Partneri kryesor kombëtar është Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU).

Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH do të zbatojë komponentin e dytë mbi trajtimin e ujrave të zeza.

Partneri kryesor kombëtar është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe agjencisë së saj zbatuese AKUM.