BE miraton reformën për të Drejtën e Autorit

62

Reforma e diskutueshme europiane për të Drejtën e Autorit u miratua në mënyrë përfundimtare sot me votimin e fundit të ministrave të BE-së në Luksemburg, faza finale pas më shumë se dy viteve procedura. Kjo fazë e fundit pritej të ishte një formalitet pas negociatash shumë të vështira për këtë reformë.

Gjashtë shtete gjithsesi votuan kundër: Italia, Finlanda, Suedia, Luksemburgu, Polonia dhe Holanda. Një pakicë, megjithëse e pamjaftueshme për të bllokuar tekstin.

Në një komunikatë të Këshillit të Bashkimit Europian, ministri rumun Valer Daniel Breaz, vendi i së cilit mban presidencën e radhës, e vlerësoi si një tekst të ekuilibruar, që krijon mundësi të shumta për sektorët kreativë europianë, të cilët do të avancojnë dhe reflektojnë më së miri diversitetin kulturor dhe vlerat e tjera të përbashkëta europiane, por gjithashtu edhe për përdoruesit, pasi liria e shprehjes në internet do të garantohet.