Belshi në programin “Green Destinations” për zhvillimin e turizmit në rajon

32

Bashkia e Belshit është angazhuar me Green Destinations, një program ndërkombëtar për menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajon.

Në një postim në rrjetet sociale thuhet se “bashkia nënshkroi javën e kaluar një marrëveshje me Spoonbill Nest Innovation Center, Përfaqësuesi i Destinacioneve të Gjelbra për Shqipërinë, për të filluar punën drejt përmbushjes së kritereve të Global Sustainable Tourism Council (GSTC) (Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm) për menaxhimin e qëndrueshëm të turizmit”.

Peizazhet natyrore, vendet historike dhe produktet vendase të bashkisë së Belshit, e bëjnë atë një vend ideal për turizmin rural dhe të jashtëm.

85 liqenet karstike të zonës së Dumresë, ku bën pjesë edhe Belshi, i vizitojnë veçanërisht turistët e huaj, por vitet e fundit me transformimin që i është bërë kësaj zone me bukuri të jashtëzakonshme natyrore, fluksi i vizitorëve po shtohet edhe me qytetarë shqiptarë, sidomos nga Tirana dhe Durrësi.