Berat, po punohet për shtrimin me kalldrëm të rrugës së Kalasë

522

Punimet për rikonstruksionin e rrugës “Mihal Komneno” 1.2 km në Berat e njohur ndryshe si rruga këmbësore për në Kalanë e Beratit, po avancojnë me ritme shumë të mira.

Aktualisht është kryer rreth 65 % e volumit të punimeve dhe puna vijon normalisht edhe në këto ditë pushimesh.

Ka përfunduar heqja e kalldrëmit ekzistues, vendosja e sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të ndotura dhe vendosja e linjave të elektro-telefonisë. Ndërkohë vijon puna për shtrimin me kalldrëm, ndriçimin publik dhe elementët e tjerë plotësues të projektit.

Gjithashtu ka përfunduar edhe shtrimi me kalldrëm dhe sistemimi i pikës panoramike Tabja dhe sheshit përpara saj dhe së shpejti do të mbyllet edhe vendosja e sistemit të vrojtimit dhe punimet e gjelbërimit.