Berati, qarku me përqindjen më të lartë të familjeve që zotërojnë panele diellore

7
Albania, Berat County, Berat, Mangalem, Ottoman houses and castle rock at blue hour, bridge over Osum river

Qarku i Beratit ka përqindjen më të lartë të familjeve që zotërojnë panele diellore. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se 26.2 për qind e familjeve kanë panele duke shënuar rritje me vitin 2020 kur kjo përqindje ishte 25.4 për qind.

Qarku i dytë ku familjet zënë përqindjen më të lartë të instalimeve të kësaj natyre është Fieri me 19.8 për qind ndërkohë që i treti vjen Elbasani me 12.1 për qind dhe e katërta Korça me 11.1 për qind.

Kukësi është qarku me më pak familje që zotërojnë panele diellorë ku vetëm 0.8 për qind e tyre rezultojnë me një të tillë. Dibra dhe Durrësi vijnë para Kukësit me një përqindje modeste të familjeve me panele konkretisht 2.1 dhe 2.2 për qind.

Panelet diellorë llogariten si pajisje afatgjata nga ana e INSTAT në një kategori me kondicionerët apo mikrovalët.

Ngrohja e ujit përmes paneleve apo edhe prodhimi i energjisë për autokonsum nga impiantet e vegjël kanë marrë vëmendje të shtuar vit pas viti dhe sidomos pas miratimit të kuadrit ligjor. Statistikat e INSTAT që përfshijnë panelet diellorë nuk bëjnë ndarje të tyre nëse këto panele prodhojnë apo ngrohin ujë duke e bërë të paqartë interesin që kanë familjet për njërën apo tjetrën kategori gjithsesi japin idenë për rritjen e interesit.

Në vitin 2022 edhe si efekt i krizës së energjisë por edhe politikave subvencionuese për panelet për ngrohje uji numri i familjeve me instalime të kësaj natyre pritet të jetë rritur edhe më tej. Të paktën 2 mijë familje u përzgjodhën në fazën e parë vitin e shkuar ndërkohë që kjo do të vazhdojë edhe me 2 mijë familje të tjera përgjatë muajve të parë të këtij viti.

Qeveria parashikon gjithashtu që të ndryshojë skemën e matjes së energjisë së prodhuar për autokonsum nga impiantet fotovoltaike duke kaluar nga matja mujore neto në faturim vjetor net diçka që është kërkuar me ngulm nga auto prodhuesit dhe që pritet të rrisë edhe më shumë interesin për panelet diellore. Kjo do të thotë që autoprodhuesit hedhin në rrjet tepricat të cilat nuk kanë pse ti konsumojnë gjatë muajit pasardhës por mund të konsumojnë ato atëherë kur kanë nevojë./N.Maho