BERZH: Ekonomia shqiptare do të rritet 3.3%

7

BERZH në raportin e tij të përvitshëm të tranzicionit që u prezantua sot në Tiranë, thekson se “ekonomia shqiptare është ndër më rezistentet në rajon dhe se do të vijojë rritjen ekonomike edhe vitin e ardhshëm në nivelin 3.3%”.

Sipas BERZH faktor kryesor për këtë është turizmi. Raporti ndër të tjera vlerëson punën që qeveria ka bërë në kuadrin rregullator për burimet e rinovueshme ku BERZH është një kontribuues kryesor.

“Pyetja më e rëndësishme që ne shtrojmë në këtë raport është si rritja ekonomike mund të përafrojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me ato të BE. Ne kemi bërë disa llogaritje të reja dhe ajo çfarë shohim është se në skenarin optimist ekonomia e Shqipërisë mund t’i afrohet atyre të Europës në dy dekada, nëse rritja mesatare është 3-4%. Kjo është relativisht një kohë e gjatë, prandaj duhet që rritja ekonomike të jetë më e lartë, në nivelet 5-6%. Për këtë ne mendojmë se tre janë mënyrat: qeverisje më e mirë, ekonomi më e integruar dhe e hapur, si dhe tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër”, tha Peter Tabak, ekonomist i lartë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, BERZH.

/ata.gov.al